Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimin e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje. (1 I MBRETËRVE 8:28)
Ndonjëherë, teksa lutesh për të tjerët, do të mbash atë që disa e quajnë barra e lutjes, ose barrë ndërmjetësimi. Një barrë është diçka që vjen në zemrën tënde dhe është e rënde dhe e rëndësishme; është diçka për të cilën Perëndia po të kërkon të lutesh; është diçka që nuk mund ta largosh. Ndonjëherë Perëndia mund të të flasë dhe të ta shpjegojë barrën. Herë të tjera ti nuk e di se çfarë është ajo barrë ose nuk e kupton plotësisht; ti di thjesht që duhet të lutesh.
Disa njerëz janë thirrur të luten shumë për gjëra të caktuara. Burri im lutet shumë për Amerikën. Njoh edhe njerëz që luten për Izraelin gjatë gjithë kohës. Një grua më tha që u lut për veteranët të cilët po ktheheshin në shtëpi. Unë besoj se Perëndia e ka mbuluar çdo nevojë në botë. Nuk është nevoja që të lutemi të gjithë për të njëjtën gjë, nëse do të vepronim kështu, nuk do të mbuloheshin të gjitha nevojat. Kushtoji vëmendje asaj që Perëndia po vendos në zemrën tënde dhe lutu për të.
Një nga mënyrat se si Perëndia na flet është duke na dhënë barra për të tjerët. Ai e bën këtë shpesh pa fjalë, por duke na vendosur në zemër një barrë dhe shqetësim për të tjerët. Kur kjo ndodh, do të thotë se Ai po na kërkon të lutemi për këta njerëz. Kushtoji vëmendje barrëve që Ai të jep dhe ji besnik të lutesh kur Ai të kërkon të veprosh kështu.
FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Teksa lutesh për të tjerët, mos harro se Perëndia ka vendosur të tjerë që të luten për ty.