Qëndro në Perëndinë

Qëndro në Perëndinë

Në qoftë se qëndroni në mua[qëndroni në mënyrë jetike të bashkuar me Mua] dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet. (GJONI 15:7)

Vargu për sot na thotë se mund të kërkojmë çfarë të “duam” dhe do të na bëhet nëse ne qëndrojmë në Krishtin. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë të mundur është bashkimi i dëshirave tona me dëshirat e Perëndisë ndërsa ne rritemi në Të.

Qëllimi i çdo besimtari të vërtetë është të jetë një me Perëndinë. Kjo ndodh frymërisht kur ne lindemi sërish, dhe ndodh në mendjen, vullnetin dhe emocionet tona ndërsa vazhdojmë të rritemi dhe maturohemi në Të. Ndërsa veprojmë kështu, ne dëshirojmë dëshirat e Tij dhe jemi të sigurt t’i ndjekim ato.

Thirrja që unë dhe Deivi kemi në shërbesën tonë është një shembull i mirë për këtë. Dëshira e Perëndisë ishte që ne të jemi në shërbesë dhe të ndihmojmë njerëzit sipas dhuntive që Ai na ka dhënë. Kjo gjithashtu ishte dëshira e zemrave tona. Ne nuk mund të kalonim shumë vite duke udhëtuar çdo fundjavë, duke qëndruar në hotele, dhe duke qenë larg familjes tonë nëse dëshira jonë për shërbesë nuk do të ishte e dhënë nga Perëndia. Ai ka vendosur një dëshirë të fortë në ne për të shërbyer saqë jemi gati të bëjmë çdo sakrificë të nevojshme ose të kapërcejmë çdo kundërshti që mund të ngrihet kundër nesh në mënyrë që të përmbushim vullnetin e Tij për ne.

Të qëndrojmë me Perëndinë do të thotë të “varemi” tek Ai, të kalojmë kohë me Të, të jetojmë në praninë e Tij dhe të ushqejmë dëshirat që Ai ka vendosur në zemrën tonë sepse ky është vullneti i Tij për ne. Ai na flet ne dhe vendos dëshirat në zemrat tona që ne të lutemi dhe të kërkojmë për ato gjëra që Ai dëshiron të na japë. Ai do jetë besnik të na japë dëshirat tona për sa kohë ato janë edhe dëshirat e Tij dhe për sa kohë ne qëndrojmë në Të.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: “ Varu” tek Perëndia sot; Ai është një kampion i madh.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon