Të Hedhim Frikën Tutje

Të Hedhim Frikën Tutje

Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur (e plotë) e nxjerr jashtë frikën dhe çdo gjurmë tmerri! – 1 Gjon 4:18

Dua të tregoj për një fjalë, e cila përbëhet nga pesë shkronja: FRIKË! Shumë nga ne ndoshta mbajmë mend se kur ishim fëmijë, nëse flisnim ndonjë fjalë të keqe, mamaja na qortonte duke na paralajmëruar se do të mbanim sapun në gojë. Epo, nëse “frika” është një fjalë e keqe me pesë shkronja, atëherë besimi te dashuria e Perëndisë është sapuni! Nuk po flas për besim të dobët. Po flas për një besim të fuqishëm në dashurinë e përsosur, pa kushte, pa kufij dhe pa hezitim të Perëndisë për ne.

Letra e Parë e Gjonit 4:18 na mëson se të kuptuarit e dashurisë së Perëndisë na çliron nga frikërat tona. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të ndjejmë frikë asnjëherë, por besimi në Perëndinë dhe dashurinë e Tij do të na mundësojë ne të “mos kemi frikë”.

Perëndia dëshiron që ne të dimë se Ai është me ne. Ai dëshiron të na drejtojë dhe udhëheqë, që ne të vendosim sigurinë dhe besimin tek Ai! Mbani mend, dashuria e Tij është e përsosur, edhe kur ne nuk jemi. Ai nuk do të na dojë më shumë apo më pak, për shkak të gabimeve tona. A nuk është mirë të dimë që Perëndia na do ashtu si jemi? A nuk e rrit ky mendim besimin tuaj dhe hedh poshtë frikën?

Ne do të ndihemi të frikësuar hera herës. Kur kjo ndodh, mund të hedhim fokusin te Perëndia dhe Ai do të na drejtojë përmes çdo situate, me të cilën përballemi.

Është dashuria e përsosur e Perëndisë – jo ne të përsosurit – që largon frikën çdo herë që ajo vjen.


Lutje

Perëndi, vetëm dashuria jote mund të largojë frikën time, prandaj unë vendos besimin tim në Ty. E di që prania jote është me mua dhe Ti do të më drejtosh përmes çdo situate të frikshme që kaloj. Unë marr dashurinë Tënde.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon