Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘’Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’’. Ai tha: ‘’Eja!’’. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. MATEU 14:28-29
Kur Pjetri doli nga barka sipas urdhrit të Jezusit, ai po bënte diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë. Për sa kohë që qëndroi në besim pati sukses, por kur frika i pushtoi zemrën, filloi të fundosej!
Gabimi i Pjetrit ishte se ai u preokupua me stuhinë. Kur u përqendrua te rrethanat rreth tij, në vend të Shpëtimtarit pranë tij, ai humbi besimin dhe filloi të dyshonte.
Romakëve 4:18–21 na thotë se Abrahami nuk u lëkund në besimin e tij kur u përball me rrethana të vështira. Ai ishte i vetëdijshëm për situatën e tij, por ndryshe nga Pjetri, ai nuk ishte i preokupuar me të. Ishte ky besim i vendosur dhe i përqendruar që e shtyu Abrahamin përpara.
Unë besoj se ju dhe unë mund të mësojmë nga gabimi i Pjetrit dhe shembulli i Abrahamit. Ne mund të jemi të vetëdijshëm për rrethanat tona, por jo të preokupuar me to. Ne mund ta mbajmë qëllimisht mendjen tonë te Jezusi, duke besuar se Ai do të sigurojë mrekullinë që na nevojitet.
Kur stuhitë vijnë në jetën tënde, mbaji sytë tek Jezusi dhe ec me vendosmëri me Të pavarësisht se sa të larta janë dallgët.