A Funksionon Besimi Juaj?

A Funksionon Besimi Juaj?

sepse [nëse jemi] në Krishtin Jezus as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë forcë, por besimi që vepron me anë të dashurisë. (GALATASVE 5:6)

Shumë njerëz mendojnë se besimi i madh është shenja kryesore e pjekurisë frymërore, por unë besoj që testi i vërtetë i pjekurisë frymërore është ecja në dashuri. Ecja jonë e dashurisë i jep energji besimit tonë. Ne nuk mund të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë pa pasur besim në Perëndinë, por dashuria demonstron, fuqizon dhe shpreh besimin tonë. Nëse ne e duam vërtetë Perëndinë dhe kemi besim në Të, ne gjithashtu do t’i duam njerëzit.

Vargu për sot na mëson që besimi vepron me anë të dashurisë, dhe dashuria nuk është thjesht bisedë apo teori, por është veprim. Në fakt, Bibla thotë që ne nuk mund të ecim në dashuri nëse shohim një vëlla në nevojë, dhe kemi mundësi ta plotësojmë nevojën e tij por nuk e ndihmojmë atë (shih 1 Gjonit 3:17).

Jezusi tha gjithashtu se i gjithë ligji dhe të gjithë profetët përmblidhen në dashuri kur Ai deklaroi: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:37- 40). Jezusi ua dha këtë fjalë njerëzve që e pyetën se cili urdhërim ishte më i rëndësishmi. Në thelb ata i thanë Atij: “Na thuaj vetëm rreshtin e fundit, Jezus.” Ai u përgjigj: “Epo mirë. Dëshironi rreshtin e fundit? Dëshironi t’i bindeni plotësisht të gjithë ligjit dhe të gjithë profetëve? Atëherë më duani mua dhe duajini njerëzit. ” Është kaq e thjeshtë. Jezusi i lejoi njerëzit të dinin që ecja në dashuri është çelësi për të jetuar një jetë që i pëlqen Atij. Të përpiqesh të ecësh në besim pa dashuri është si të kesh elektrikun e dorës pa bateri. Ne duhet të sigurohemi që ta kemi të mbushur plot baterinë tonë të dashurisë gjatë të gjithë kohës. Ndryshe besimi nuk do të funksionojë!


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia është dashuri dhe sa më shumë e njohim Atë, aq më shumë do t’i duam të tjerët.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon