I Lirë Për Të Ndjekur Frymën

I Lirë Për Të Ndjekur Frymën

Por Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje ka liri. (2 E KORINTASVE 3:17)

Edhe pse tashmë e kam përmendur në këtë libër temën e legalizmit si një parandalues i jetës së drejtuar prej Frymës, dua që të flas pak më shumë për të sepse besoj se na pengon jashtëzakonisht të dëgjojmë prej Perëndisë.

Unë nuk besoj se mund të përjetojmë gëzim derisa të drejtohemi prej Frymës së Perëndisë dhe nuk mund të drejtohemi prej Frymës e të jetojmë nën ligj në të njëjtën kohë. Një mentalitet legalist thotë se çdokush duhet të veprojë njësoj, gjithë kohës. Por Fryma e Perëndisë na drejton individualisht dhe shpesh në një mënyrë unike dhe kreative.

Fjala e shkruar e Perëndisë i thotë të njëjtën gjë gjithsecilit dhe nuk interpretohet privatisht (shiko 2 e Pjetrit 1:20). Kjo do të thotë se Fjala e Perëndisë nuk i thotë një gjë një personi dhe diçka tjetër të tjerëve. Gjithsesi, drejtimi i drejtpërdrejtë nga Fryma e Shenjtë është një çështje personale.

Perëndia mund ta drejtojë një person të mos konsumojë sheqer për shkak të një problemi shëndetësorë në jetën e tij. Kjo nuk do të thotë se askush nuk duhet të konsumojë sheqer. Njerëzit legalistë përpiqen t’ua kumtojnë Fjalën e Perëndisë të tjerëve thjesht si një libër rregullash.

Njëherë dëgjova se në kohën kur lindi Jezusi, skribët dhe farisenjtë i kishin kthyer Dhjetë Urdhëresat në dy mijë rregulla që njerëzit t’i ndiqnin. Imagjino të jetosh nën atë lloj ligji. Është robëri!

Jezusi erdhi të çlironte të burgosurit. Ne nuk jemi të lirë që të bëjmë çdo gjë që na shkon në mendje, por jemi çliruar nga legalizmi dhe jemi të lirë të ndjekim Frymën e Shenjtë në çdo lloj mënyrë personale dhe kreative që Ai na drejton.


FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Besoji Frymës së Shenjtë që të të flasë dhe të të drejtojë në jetë.

Facebook icon Twitter icon Instagram icon Pinterest icon Google+ icon YouTube icon LinkedIn icon Contact icon